1 Zoti i foli akoma Moisiut në shkretëtirën e Sinait, në çadrën e mbledhjes, ditën e parë të muajit të dytë, gjatë vitit të dytë nga dalja e tyre nga vendi i Egjiptit, dhe i tha:
2 "Bëni regjistrimin e gjithë asamblesë së bijve të Izraelit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar një për një emrat e çdo mashkulli.
3 Nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që në Izrael mund të shkojnë në luftë; ti dhe Aaroni do t'i regjistroni, grup pas grupi.
4 Dhe me ju do të jetë një burrë për çdo fis, një që të jetë i pari i shtëpisë së atit të tij.
5 Këta janë emrat e burrave që do të jenë me ju. nga Ruben, Elitsur, bir i Shedeurit;
6 nga Simeoni, Shelumieli, bir i Tsurishadait;
7 nga Juda, Nahshoni, bir i Aminadabit;
8 nga Isakari, Nethaneeli, bir i Tsuarit;
9 nga Zabuloni, Eliabi, bir i Helonit;
10 nga bijtë e Jozefit, për Efraimin, Elishama, bir i Amihudit; për Manasën, Gamalieli, bir i Pedahtsurit;
11 nga Beniamini, Abidani, bir i Gideonit;
12 nga Dani, Ahiezeri, bir i Amishadaidit;
13 nga Asheri, Pagieli, bir i Okranit;
14 nga Gadi, Eliasafi, bir i Deuelit;
15 nga Neftali, Ahira, bir i Enanit".
16 Këta janë ata që u zgjodhën nga asambleja, prijësit e fiseve të etërve të tyre, krerët e divizioneve të Izraelit.
17 Moisiu dhe Aaroni morën, pra, këta burra që ishin caktuar me emër,
18 dhe thirrën tërë asamblenë, ditën e parë të muajit të dytë; ata u treguan fisin e tyre, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar personat me moshë njëzet vjeç e lart, një për një.
19 Ashtu si Zoti pat urdhëruar Moisiun, ai bëri regjistrimin e tyre në shkretëtirën e Sinait.
20 Nga bijtë e Rubenit, i parëlinduri i Izraelit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, tërë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
21 ata që u regjistruan nga fisi i Rubenit ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.
22 Nga bijtë e Simeonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ata që u regjistruan duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
23 ata që u regjistruan nga fisi i Simeonit ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.
24 Nga bijtë e Gadit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e atyre që ishin njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
25 ata që u regjistruan nga fisi i Gadit ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.
26 Nga bijtë e Judës, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat e tyre nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
27 ata që u regjistruan nga fisi i Judës ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.
28 Nga bijtë e Isakarit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
29 ata që u regjistruan nga fisi i Isakarit ishin pesëdhjetë e katër mijë e katërqind.
30 Nga bijtë e Zabulonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre duke i numëruar nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
31 ata që u regjistruan nga fisi i Zabulonit ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.
32 Ndër bijtë e Jozefit: nga bijtë e Efraimit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë për të shkuar në luftë:
33 ata që u regjistruan nga fisi i Efraimit ishin dyzet mijë e pesëqind.
34 Nga bijtë e Manasit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
35 ata që u regjistruan nga fisi i Manasit ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.
36 Nga bijtë e Beniaminit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
37 ata që u regjistruan nga fisi i Beniaminit ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.
38 Nga bijtë e Danit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
39 ata që u regjistruan nga fisi i Danit ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.
40 Nga bijtë e Asherit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
41 ata që u regjistruan nga fisi i Asherit ishin dyzet e një mijë e pesëqind.
42 Nga bijtë e Neftalit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
43 ata që u regjistruan nga fisi i Neftalit ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
44 Këta ishin të regjistruarit nga Moisiu dhe Aaroni, së bashku me dymbëdhjetë burrat, prijës të Izraelit, secili përfaqësues i shtëpisë së atit të tij.
45 Kështu tërë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre, nga mosha njëzet vjeç e lart, domethënë tërë njerëzit që në Izrael ishin të aftë të shkonin në luftë,
46 të gjithë ata që u regjistruan ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.
47 Por Levitët nuk u regjistruan bashkë me të tjerët, simbas fisit të etërve të tyre,
48 sepse Zoti i kishte folur Moisiut, duke i thënë:
49 "Vetëm në fisin e Levit nuk do të bësh regjistrimin dhe nuk do të llogaritësh numrin e tyre me bijtë e Izraelit;
50 por besoju Levitëve kujdesin për tabernakullin e dëshmisë, për të gjitha orenditë e tij dhe për çdo gjë që i përket. Ata do të mbartin tabernakullin dhe tërë orenditë e tij, do të bëjnë shërbimin dhe do të fushojnë rreth tabernakullit.
51 Kur tabernakulli duhet të zhvendoset, Levitët do ta bëjnë pjesë-pjesë; kur tabernakulli duhet të ndalet, ata do ta ngrenë; dhe i huaji që do të afrohet do të dënohet me vdekje.
52 Bijtë e Izraelit do t'i ngrenë çadrat e tyre secili në kampin e vet, secili pranë flamurit të vet, simbas renditjes së tyre.
53 Por Levitët do t'i ngrenë çadrat e tyre rreth tabenakullit të dëshmisë me qëllim që mëria ime të mos bjerë mbi asamblenë e bijve të Izraelit; kështu Levitët do të kujdesen për tabernakullin e dëshmisë".
54 Bijtë e Izraelit iu binden gjithçkaje që Zoti kishte urdhëruar Moisiun, dhe kështu bënë.
Bible verses about "the number five" | Albanian
Numbers 1:1-54
Numbers 5:1-31
1 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
2 "Urdhëro bijtë e Izraelit të nxjerrin jashtë kampit çdo lebroz, këdo që ka një fluks ose është i papastër nga kontakti që ka pasur me një trup të vdekur.
3 Dëboni jashtë kampit qoftë meshkujt, qoftë femrat; do t'i dëboni jashtë kampit për të mos ndotur kampin në mes të të cilit unë banoj".
4 Dhe bijtë e Izraelit vepruan ashtu dhe i nxorën jashtë kampit. Ashtu si i kishte folur Zoti Moisiut, kështu vepruan bijtë e Izraelit.
5 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
6 "Thuaju bijve të Izraelit: Kur një burrë apo një grua bën çfarëdo lloj fyerje kundër një njeriu, duke vepruar kështu kryen një mëkat kundër Zotit, dhe ky person bëhet fajtor;
7 ai do ta njohë fyerjen që ka bërë dhe do të shpërblejë plotësisht dëmin e bërë, duke i shtuar një të pestën dhe duke ia dhënë personit që ka fyer.
8 Por në rast se ky nuk ka ndonjë të afërm person të një gjaku të cilit mund t'i bëhet shpërblimi për fyerjen e kryer, shpërblimi do t'i shkojë Zotit për priftin, veç dashit fajshlyes, me të cilin do të bëhet shlyerja për të.
9 Çdo ofertë e ngritur e çfarëdo gjëje të shenjtëruar që bijtë e Izraelit i paraqesin priftit, do t'i përkasë këtij.
10 Sendet që dikush shenjtëron do të jenë të priftit; atë që dikush i jep priftit, do t'i përkasë këtij".
11 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
12 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në qoftë se një grua i dredhon burrit të saj dhe kryen një pabesi kundrejt tij,
13 dhe një burrë ka marrëdhënie seksuale me të, por kjo gjë është bërë fshehurazi nga burri i saj; kur fëlliqësia e saj mbetet e fshehtë, sepse nuk ka asnjë dëshmitar kundër saj dhe nuk është kapur në flagrancë,
14 në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe bëhet xheloz për gruan e tij që është fëlliqur; ose në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe ai bëhet xheloz për gruan e tij edhe sikur ajo të mos jetë fëlliqur,
15 burri do ta çojë gruan e tij te prifti dhe do t'i japë atij një ofertë për atë: një të dhjetën e një efe miell elbi; nuk do t'i derdhë sipër vaj ulliri as do t'i vërë sipër temjan, sepse është një blatim ushqimor për xhelozi, një blatim përkujtimor, i caktuar për të kujtuar një faj.
16 Prifti do ta afrojë gruan dhe do ta mbajë më këmbë përpara Zotit.
17 Pastaj prifti do të marrë ujë të shenjtë nga një enë prej dheu; do të marrë gjithashtu ca pluhur që ndodhet mbi dyshemenë e tabernakullit dhe do ta hedhë në ujë.
18 pastaj prifti do ta mbajë në këmbë gruan para Zotit, do t'i zbulojë kokën dhe do të vërë në duart e saja blatimin përkujtimor, që është blatimi ushqimor për xhelozinë, ndërsa prifti do të mbajë në dorë ujin e hidhur që sjell mallkimin.
19 Pastaj prifti do ta vërë gruan të betohet dhe do t'i thotë: "Në qoftë se asnjë burrë s'ka rënë në shtrat me ty dhe nuk je larguar nga rruga e drejtë për t'u fëlliqur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, je e përjashtuar nga çdo efekt i dëmshëm i këtij uji të hidhur që sjell mallkimin.
20 Por në se ti je shthurur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, dhe je fëlliqur me një burrë që nuk është bashkëshorti yt ka pasur marrëdhënie seksuale me ty",
21 atëherë prifti do ta vërë gruan të betohet me një betim mallkimi dhe do t'i thotë: "Zoti të bëftë objekt mallkimi dhe nëme midis popullit tënd, kur do të bëjë të të dobësohen ijet dhe të fryhet barku yt;
22 dhe ky ujë që sjell mallkimin hyftë në zorrët e tua, të bëftë të fryhet barku yt dhe dobësoftë ijet e tua!". Dhe gruaja do të thotë: "Amen! Amen!".
23 Pastaj prifti do t'i shkruajë këto mallkime mbi një rrotull dhe do t'i zhdukë në ujin e hidhur.
24 Pas kësaj do t'i japë gruas për të pirë ujë të hidhur që sjell mallkimin dhe ky ujë që sjell mallkimin do të hyjë në të për të prodhuar hidhërim;
25 pastaj prifti do të marrë nga duart e gruas blatimin e ushqimit për xhelozinë, do ta tundë blatimin para Zotit dhe do t'ia ofrojë në altar;
26 prifti do të marrë nga duart e gruas një grusht të blatimit ushqimor si kujtim dhe do ta tymosë mbi altar; pastaj do t'i japë gruas ujë për të pirë.
27 Mbas pirjes së ujit, do të ndodhë që, në se ajo është fëlliqur dhe ka kryer një pabesi ndaj burrit të saj, uji që sjell mallkimin do të hyjë në trupin e saj për të prodhuar hidhërim; barku i saj do të fryhet, ijët e saj do të dobësohen dhe ajo grua do të bëhet një mallkim në mes të popullit të saj.
28 Por në qoftë se gruaja nuk është fëlliqur dhe është e pastër, ajo do të njihet si e pafajshme dhe do të ketë fëmijë.
29 Ky është ligji për xhelozinë, në rastin kur gruaja, duke qenë e martuar me një burrë, merr rrugë të keqe dhe fëlliqet,
30 ose në rastin kur ndjenja e xhelozisë e zë një burrë dhe ky bëhet xheloz për gruan e tij; ai do ta paraqesë gruan e tij para Zotit dhe prifti do të zbatojë me të plotësisht këtë ligj.
31 Bashkëshorti nuk do të ketë asnjë faj, por e shoqja do të marrë dënimin e paudhësisë së saj".
Deuteronomy 6:4
4 Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.
Revelation 13:18
18 Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
Numbers 6:1-27
1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një burrë a një grua do të lidhin një kusht të veçantë, kushtin e nazireatit, për t'iu shenjtëruar Zotit,
3 do të heqin dorë nga vera dhe nga pije të tjera që të dehin, nuk do të pinë uthull të bërë nga vera, as uthull të përgatitur me pije dehëse; nuk do të pinë asnjë lëng rrushi dhe nuk do të hanë rrush, as të freskët as të thatë.
4 Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat as lëkurën e rrushit.
5 Gjatë gjithë kohës së kushtit të shenjtërimit, brisku nuk do të kalojë mbi kokën e tij; deri sa të mbushen ditët për të cilët iu shenjtërua Zotit do të jetë i shenjtë; do t'i lërë flokët e tij të rriten të gjatë mbi kokën e tij.
6 Për gjithë kohën që i është shenjtëruar Zotit nuk do t'i afrohet ndonjë trupi të vdekur;
7 as sikur të ishte i ati apo e ëma, i vëllai ose e motra, ai nuk do të ndotet për ta kur vdesin, sepse mban mbi krye shenjën e shenjtërimit të tij Perëndisë.
8 Për gjithë kohën e shenjtërimit të tij, ai do të jetë i shenjtë për Zotin.
9 Në rast se dikush vdes papritmas afër tij dhe koka e tij e shenjtëruar mbetet e ndotur, ai do ta rruajë kokën ditën e pastrimit të tij; do ta rruajë ditën e shtatë;
10 ditën e tetë do t'i çojë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
11 Prifti do të ofrojë njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust dhe do të bëjë shlyerjen për të, sepse ka mëkatuar për shkak të trupit të vdekur; dhe po atë ditë do të shenjtërojë kokën e tij.
12 Do t'i shenjtërojë përsëri Zotit ditët e nazireatit të tij dhe do të çojë një qengj motak si fli shlyerjeje; por ditët e mëparshme nuk do të llogariten më, sepse nazireati i tij është ndotur.
13 Ky është ligji i nazireatit: kur ditët e shenjtërimit të tij do të plotësohen, atë njeri do ta sjellin në hyrjen e çadrës së mbledhjes;
14 dhe ai do t'ia paraqesë ofertën e tij Zotit: një qengj mashkull motak pa të meta për olokaustin, një qengj femër motak pa të meta për flijimin për mëkatin dhe një dash pa të meta për flijimin e falënderimit;
15 një shportë me bukë të ndorme të përgatitura me majë mielli, me kuleç të zëna me vaj, një revani pa maja të lyer me vaj, me ofertat e tyre ushqimore dhe libacionet e tyre.
16 Prifti do t'i paraqesë këto gjëra përpara Zotit dhe do të ofrojë flijimin e tij për mëkatin dhe olokaustin e tij;
17 do të ofrojë dashin si flijim falënderimi ndaj Zotit, bashkë me shportën e bukëve të ndorme; prifti do të ofrojë gjithashtu blatimin e tij ushqimor dhe libacionin e tij.
18 Nazireu do të rruajë kokën e tij të shenjtëruar në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do të marrë flokët e kokës së tij të shenjtëruar dhe do t'i vërë mbi zjarrin që është nën flijimin e falënderimit.
19 Prifti do të marrë shpatullën e pjekur të dashit, një kulaç pa maja nga shporta dhe një revani pa maja dhe do të vërë në dorë të nazireut, mbasi ky të ketë rruar kokën e tij të shenjtëruar.
20 Prifti do t'i tundë si oferta para Zotit; është një gjë e shenjtë që i përket priftit, bashkë me gjoksin e ofertës së tundur dhe me kofshën e ofertës së ngritur. Pas kësaj nazireu do të mund të pijë verë.
21 Ky është ligji për nazireun që i ka premtuar Zotit një ofertë për shenjtërimin e tij, veç atyre që mjetet e tij do t'i lejojnë të bëjë. Në bazë të kushtit të lidhur, ai duhet të sillet në pajtim me ligjin e shenjtërimit të tij".
22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
23 "Folu Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ju do t'i bekoni kështu bijtë e Izraelit, duke u thënë:
24 "Zoti të të bekojë dhe të të ruajë!
25 Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty!
26 Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!".
27 Kështu do ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit dhe unë do t'i bekoj".